Sunday 11 November 2007

A jemi ne të lodhur nga debati mbi komunizmin? Filmi "Jetët e të tjerëve", në Shqipëri

“Rastësisht” në kuadrin e javës së kulturës gjermane në Shqipëri, u shfaq jo për publikun e gjerë filmi i regjizorit gjermano-austriak, Florian Henckel von Donnersmarck, “Jetët e të tjerëve”. Ky film ka padyshim veçantinë që trajton një problematikë të ngjashme me atë të Shqipërisë, gjatë dhe pas periudhës komuniste. Problematika është e ngjashme por jo mënyra e trajtimit të saj, krahasuar me filma shqiptarë, të cilët shpeshherë përqendrohen në aspekte të rëndë, natyrisht domethënës të komunizmit shqiptar, por lënë mënjanë aspektin njerëzor të çdo tragjedie.


Ky film u vlerësua në janar 2007 me çmimin Oskar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj, si dhe gjatë shfaqjeve në vende të ndryshme, provokoi rradha të gjata nëpër sallat e kinemasë.

Është pak e çuditshme që publikut shqiptar i’u desh të priste për reth nëntë muaj për t’u njohur me të, apo rreth një viti e gjysëm, që në kohën kur ky film u shfaq në Gjermani në mars 2006. Edhe pse Oskari ia rriti prestigjin filmit në skenën ndërkombëtare, ai edhe pa të, duhej të kishte ardhur në Tiranë. Në fakt këtë film do ta konsideroja si një punë shumë të arritur artistike, që hedh një dritë të vërtetë mbi epokën komuniste dhe si një ilustrim të rradhës në historinë e kulturës gjermane, të respektimit të kërkesës shoqërore për të njohur të vërtetën dhe të transformimit të brendshëm që mund të ndodhë në shpirtin e njeriut, që udhëhiqet nga një numër idealesh. Pikërisht një transformim ndodh në shpirtin e aktorit kryesor, oficerit të Sigurimit të Shtetit, Gerd Wiesler, pasi ai fillon të përgjojë shkrimtarin Georg Dreyman dhe partneren e tij, aktoren e njohur, Krista-Maria Siland. Çdo gjë fillon në ditëlindjen e shkrimtarit, ku një prej të ftuarve, një regjizor i njohur dhe mik i tij, gjatë festës lexon librin e verdhë të Brecht-it dhe i dhuron për ditëlindje Dreyman-it “Sonatën e njeriut të mirë” të Bethovenit. Pikërisht kjo sonatë ishte për mua çelësi përmes të cilit e lexova filmin, ajo më shërbeu si një fill drejtues, që më çoi deri në fund të historisë, kur disa vite më pas, pas rënjes së murit të Berlinit, Dreyman boton një libër të titulluar “Historia e njeriut të mirë”, të cilin ia dedikon oficerit Wiesler. Por çfarë ndodh midis këtyre dy momenteve? Si është e mundur që shkrimtari Dreyman, i cili pas vetëvrasjes së mikut të tij regjizor, shkruan një artikull mbi vetëvrasjen në RDGJ dhe arrin ta botojë në revistën Spiegel, nën vëzhgimin e punonjësit të dedikuar të Stasit pa u dënuar? E pra kjo është e mundur për shkakt të transformimit që ndodhi me Wieslerin. Ai fillon të ndjejë simpati për dy protagonistët dhe vendos t’i shpëtojë. Arsyet e këtij transformimi mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, bazuar mbi përjetimet personale të çdo shikuesi. Përjetimi që unë pata më bëri të ndjej se transformimi u provokua nga muzika e sonatës së njeriut të mirë, nga libri i Brecht-it të cilin Wiesler e mori nga apartamenti i Dreymanit, por edhe nga dëshirat që u zgjuan brenda tij në kontakt të afërt me dy njerëz që “dëshiroheshin”, dhe e fundit nga “eksperienca e zhgënjimit” për shkak të korrupsionit të sistemit që i’u shfaq atij përmes dashurisë së impozuar nga ministri i kulturës Bruno Hempf, ndaj aktores Siland. Unë besoj se muzika është transformues i shpirtrave njerëzorë, po kështu edhe letërsia. Kur vetë Wiesler fillon të lexojë librin e verdhë të Brecht-it, libri hapet me poemen “kujtime nga Maria A.” (The Life of Others, Scott Horton, Harper’s Magazine, prill, 2007) e cila është një poemë që i dedikohet një puthjeje dhe një reje, të dyja shfaqje efemere, të lidhura në mënyrë të pashlyeshme me dashurinë e ndjerë për Maria A. Kjo poezi është e gjitha ndjenjë, por ajo fsheh dhe ide, dhe ideja kryesore që dua të sjell përpara vëmendjes, është natyra jo e përhershme e kushtit njerëzor, që mund të interpretohet edhe si natyra jo definitive, por e ndryshueshme e përkatësive ideologjike dhe politike. Wiesleri i vetmuar, sakrifikon veten për dy artistët që në fakt e personifikojnë artin më shumë se sa e përfaqësojnë realisht (shkrimtari Dreyman është një shkrimtar “zyrtar” i regjimit). Por megjithë përpjekjet e tij vetëm shkrimtari shpëton, ai nuk dënohet por me çmimin e lartë të vetëvrasjes së partneres së tij.

Meqënëse nuk dua të ndalem në përshkrimin e historisë së filmit, por të shpreh dy ide kryesore, dua që në fund të shtoj elementin që më bëri më shumë përshtypje në film. Katër vjetë pas rënjes së murit, Dreyman vendos që të shkojë në arkivin shtetëror dhe të kërkojë dosjen e tij të përgjimit, gjatë leximit të së cilës, ai kupton atë që kishte ndodhur vërtet dhe pak nga pak identifikon trajtat e njeriut të mirë, që fshihej nën veshjen gri, të spiunit të Stasit. Ai madje tenton që ta takojë atë por në fund zgjedh që ta shprehë falenderimin në një mënyrë tjetër, që në fakt ka më shumë vlera nga pikëpamja kolektive. Ai shkruan librin mbi njeriun e mirë dhe ia dedikon Wiesler-it, duke bërë kështu një dëshmi publike të ekzistencës së një përjashtimi nga rregulli i përgjithshëm i terrorit dhe dhunës komuniste.
Pas shfaqjes së filmit, gjatë një debati të shkurtër u shprehën mendime të ndryshme në sallë, ku personalisht dua të veçoj një mendim sipas të cilit historia e treguar në film nuk përfaqëson një rast tipik të sjelljes njerëzore nën komunizëm, dhe kësisoj është e çuditshme që ky film të fitojë Oskarin. Historia e Wieslerit që devijon nga detyra, për shkaqe që kanë të bëjnë kryesisht me muzikën, letërsinë dhe humanizmin, është vërtet një shembull atipik i regjimeve komuniste dhe sidomos i komunizimit shqiptar. Por mundësia e ekzistencës së një përjashtimi nga rregulli i përgjithshëm, a nuk e bën rregullin edhe më të fortë? Spiunët e Stasit gjerman nuk ishin të gjithë si Wiesleri, por fakti që midis tyre pati një të tillë, do të thotë që edhe rregulli i përgjithshëm edhe përjashtimi nga rregulli i përgjithshëm, kishin një brendi të fortë kontekstuale, pra ishin me rrënjë në një besim të fortë që vinte nga jashtë situatës konkrete dhe i përcillej aktorëve të historive njerëzore, nga të tjerë njerëz që kishin ekzistuar para tyre. Wiesleri zbuloi pa e ditur më parë, se kishte lidhje të forta me “njeriun e mirë”, pasi sonata e njeriut të mirë e mallëngjeu dhe e bëri t’i rridhte një lot gjatë seancave përgjuese. Dhe kjo ishte e papritura e filmit. Ndërsa shefi i tij, koloneli Grubitz i bindur që shkrimtari Dreyman duhej dënuar, përdori për këtë aktoren Siland. Nëse për Wieslerin nuk do të kishte ndodhur transformimi, ai do të kishte qëndruar po aq i bindur sa dhe në fillim, në vlerën e punës së tij dhe të regjimit të cilit i shërbente. Të dy këta personazhe janë të rrënjosur thellë në kontekstet e ndjeshmërive personale, por zbulojmë se konteksti ndaj të cilit Wiesleri ishte më shumë i rrënjosur ishte një tjetër, jo ai i punonjësit të shërbimit sekret. Wiesleri anoi nga ana e njerëzve të mirë!

Le të jetë Wiesleri një përjashtim, madje jo vetëm për shqiptarët, por edhe në përgjithësi. Megjithatë edhe nëse ai është një përjashtim, ai e meriton që të trajtohet në një film, dhe madje edhe të vlerësohet me çmim. Të bësh një film mbi rregullin e përgjithshëm nuk kërkon ndonjë guxim të veçantë. Ndërsa të bësh film mbi një përjashtim, aq më tepër kur ky përjashtim mund të realizohet në një film kaq bukur, përjashtimi bëhet dritarja përmes të cilës futet drita në horizontin e zymtë të jetës komuniste dhe kjo është për t’u vlerësuar. Edhe pse nuk çuditem për vlerësimin e filmit me Oskar, shprehem dakort me opinionin se rasti i treguar në film, nuk mund të jetë assesi çelësi për të hyrë në kasaphanën komuniste shqiptare.
Së pari komunizmi gjerman, ashtu si regjimet e tjera të lindjes, është ndryshe nga komunizmi shqiptar. Wiesleri në Shqipëri, nuk do të ishte dënuar vetëm me një zbritje në detyrë por me burgosje apo pushkatim, në varësi të valëve të politikës diktatoriale. Këtu kemi të bëjmë me diferenca rrënjësore në tipin e regjimit, që janë të lidhura me natyrën e njerëzve. Natyrisht të mos mendojmë se çdo detaj në film është autentik, pasi ai është riprodhim i një realiteti të kaluar, nga një regjizor që nuk e ka përjetuar eksperiencën komuniste, prandaj disa detaje mund ta bëjnë edhe “më të mirë” komunizmin gjerman. Megjithatë diferencat midis këtyre dy regjimeve, mund të vlerësohen nën dritën e zhvillimeve postkomuniste të dy vendeve.
Mundësia e një qytetari të një regjimi diktatorial, për të pasur në duar dosjen e historisë së tij personale të shkruar nga spiunët e atij regjimi, është shumë e rëndësishme dhe tregon që e drejta e atij qytetari për të njohur të vërtetën është respektuar.

Dhënja e një mundësie të tillë, bëhet në një vend ky “gjërat janë në vendin e tyre”. Në Shqipëri kjo do të përkthehej duke thënë që ajo pjesë e shoqërisë që komunizmi promovoi dhe e vendosi mbi kryet e asaj që tradicionalisht kishte më të mirë, ka zënë vendin që i takon dhe njerëzit që “njohin vlerat e arsyes dhe të drejtësisë universale” janë ata që drejtojnë (te “Ankthi i pafund i lirisë”, Todi Lubonja, Albinform, Maj, 1994, del qartë mënyra se si u realizua zhvendosja e shtresave shoqërore, pasi Enver Hoxha që pas marrjes së pushtetit filloi të eliminonte “bazën e vjetër të unitetit që kishte në themel njerëzit e Luftës, sepse ata kishin filluar të paraqesin rrezik”, me një bazë të re të mbështetur mbi frikën dhe dhunën). Debati i improvizuar pas filmit, shtroi pyetjen: është më mirë të falësh apo të harrosh? Natyrisht përgjigjja është të falësh, por që të falësh duhet të njohësh çfarë dhe kë të falësh. Në Shqipëri njerëzit e dinë se kush janë ata që ishin të përfshirë në mënyrë direkte në padrejtësitë e sistemit komunist, por asnjëherë nuk ka pasur shpallje publike si dhe debate të lira në lidhje me ta.

Regjimet politike zëvendësojnë njëri-tjetërin, kurse ndërgjegjet shoqërore, zënë shtresa dhe nëse ato nuk pastrohen, edhe shtresat që vihen sipër mbeten të infektuara. Në Shqipëri gjërat janë “ndryshe”, sepse tradita jonë, kultura jonë janë ndryshe. Por ajo ekziston prandaj dhe procesi i përsëritjes së ngjarjeve të dhimbshme, mund të ndalet atëherë kur njerëzit vihen në kontakt me kontekste të tjera, që kanë ekzistuar para tyre, dhe që kanë krijuar vlera universale. Ky proces mund të ndalet kur njerëzit, e njohin brenda tyre dhe e pranojnë të lindë e të zhvillohet “njeriu i mirë”. Të gjithë e dimë se kush është njeriu i mirë, prandaj le t’i lemë ata të shfaqen dhe të drejtojnë.

Debati publik mbi një regjim të kaluar është gjithmonë pozitiv dhe shërben si një katarsis, ku eksperienca e kaluar aktualizohet dhe prej saj nxirren mësime. Aq më tepër kur regjimi i kaluar ka qenë i dhimbshëm dhe i ka vënë individët e një shoqërie në konflikt me njëri tjetrin. Pasojat e përplasjeve midis tyre, janë të shumta, por më e rëndësishmja është injorimi i dhimbjes së njërës palë nga pala tjetër si dhe indiferenca e palës asnjëanëse. Nëse duhet të ketë debat publik ai duhet të flasë pikërisht për këtë, për përjetimet e secilit, dhe duhet të ndihmojë në arritjen e një konsensusi të gjerë shoqëror mbi të mirat dhe të këqijat e regjimit të kaluar, pa ngjyrosje politike.
Poeti dhe autori i teksteve gjermano-perëndimori Wolf Biermann, i cili u zhvendos në RDGJ në 1953 dhe duke qenë një komunist i pastër u bë një nga kritikët më të mëdhenj të komunizmit të RDGJ, u largua më pas prej saj dhe u bë një shkrimtar disident. Ai shprehet në artikullin, The Ghosts are leaving the shadows, Die Welt, mars, 2006 se ndjehet “i lodhur nga debati” mbi Stasin dhe diktaturën në RDGJ, por edhe thotë se “në fakt nuk i besoj vetes mbi këtë çështje dhe se filmi “Jeta e të Tjerëve” vetëm do ta hapë konfrontimin e vërtetë me diktaturën në RDGJ”.

Gjermanët janë përpjekur ta trajtojnë në forma të ndryshme eskperiencën komuniste, herë komike, herë dramatike dhe më në fund me këtë film në formë realiste. Ajo që i ushqen të gjitha këto përpjekje është ekzistenca e debatit shoqëror mbi komunizimin (aktualisht në Gjermani janë hapur dosjet e përgjimit të iniciuara nga Stasi dhe jo ato bashkëpunëtorëve). Kjo mungon në rastin shqiptar, dhe ne jemi larg së qenurit “të lodhur nga debati” pasi debati shoqëror ende nuk ka filluar realisht.