Tuesday 1 December 2009

Letër e hapur për Berishën dhe Ramën

Të nderuar Z. Sali Berisha dhe z. Edi Rama, ju dërgoj këtë letër të hapur sot, pasi si shtetase shqiptare jam e shqetësuar në lidhje me zhvillimet e fundit.

Ju siguroj që politika nuk më intereson në vetvete, por në rastin konkret, kur ajo po rrezikon ta fusë vendin në krizë, më duhet të reagoj.

Besoj se të gjithë jemi të qartë për procesin dhe rezultatet e zgjedhjeve, pasi i kemi ndjekur ato hap pas hapi nga përgatitja e fushatave elektorale, në ditën e votimit, ditët e pasvotimit dhe të numërimit të votave, si dhe momentin e shpalljes së rezultateve në gusht nga KQZ-ja dhe vlerësimin nga OSBE/ODIHR.

Shpallja e rezultatit të zgjedhjeve është bërë nga institucione dhe kërkesa për mosmarrjen parasysh të vendimit të këtyre institucioneve më duket si një kërkesë për t‘i anuluar këto institucione dhe rolin e tyre.

Një shtet nuk mund të funksionojë i rregulluar nga individë, pasi individët janë imperfektë, egoistë dhe kanë tendencë ta shndërrojnë pushtetin në pushtet personal. Aq më tepër që në historinë tonë kemi pasur raste drejtimi të vendit nga "individi" dhe rezultatet i dimë të gjithë shumë mirë.

Unë po ju shkruaj sot, që t‘ju kërkoj publikisht, pasi e kam të drejtën si qytetare që ta ndaloni konfliktin. Ju kërkoj që t‘u jepni fund replikave midis jush, që po shndërrohen në dhunë verbale ndaj njëri-tjetrit, por dhe ndaj ne qytetarëve.

Sharjet dhe kërcënimet në distancë, që keni përdorur përmes mediave që janë sjellë si trampolina perfekte të fjalëve tuaja agresive, duke luajtur rolin e tyre në mënyrë elementare dhe jo si një profesion që ofron ekspertizën e informacionit, nuk më kanë pëlqyer.

Po ashtu nuk më ka pëlqyer që të dëgjojmë apo lexojmë për njërin se e ka humbur mendjen dhe për tjetrin se do ia shkulim dhëmballët.

Sulmet personale ndaj të kaluarës apo familjes së secilit nuk kanë ç‘na duhen, nuk kanë pse të jenë pjesë e bisedave tona të përditshme shoqërore.

Ju lutem, z. Kryeministër dhe z. kryetar i Partisë Socialiste dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, silluni si të rritur, si njerëz të civilizuar dhe në rangun e pozicionit që përfaqësoni.

Vetëm përpara disa ditësh ne morëm vesh që Këshilli i Ministrave për Çështje të Përgjithshme në Bruksel, vendosi të pranojë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Ky është një lajm shumë i rëndësishëm, i cili duhet të ketë prioritet dhe ndaj të cilit qeveria, partitë politike, administrata, shoqëria civile dhe qytetarët duhet të reagojnë pozitivisht, duke bërë përpjekjet e nevojshme për përmirësim.

Ky është një lajm edhe më i rëndësishëm dhe inkurajues kur kujtojmë se në korrik u fol për një geto brenda Ballkanit, të përbërë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, pas vendimit të Komisionit Europian për të përfshirë në liberalizimin e vizave vetëm Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi.

Edhe pse ne nuk u kualifikuam në raundin e parë, për shkak të mangësive tona, kemi shansin që nëse bëjmë përpjekjet e duhura, të kualifikohemi gjatë vitit 2010.

Çështja e zgjedhjeve parlamentare të qershorit që nuk pranohen nga opozita po e mban peng Parlamentin shqiptar. Kjo më duket si një pengesë e ngritur nga brenda vendit, ndërkohë që nga jashtë ajo ka hapur dyer të reja.

Më vjen shumë keq që po harxhohet kohë në drejtimin e gabuar. Madje më vjen edhe më keq kur shikoj që ky drejtim i gabuar po thellohet gjithnjë e më shumë përmes militantizmit dhe një papërgjegjshmërie të frikshme. Aq më tepër më shqetësojnë referencat e panevojshme ndaj një drejtimi tjetër të gabuar të së kaluarës, 1997, si pasojë e të cilit ne humbën 10 vjet kohë duke e bërë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit vetëm në 2006-ën, ndërkohë që kjo do të ishte bërë në 1996.

Në këtë moment kritik, ku kemi shumë për të bërë, do të ishte marrëzi të përsërisnim gabimet e së kaluarës.

Është interesi i shumicës që përfaqësohet në një demokraci. Edhe pse demokracia jonë është ende në moshën e fëmijës, interesi i shumicës nuk është që të kthehemi mbrapa dhe të rifillojmë çdo gjë, ndërkohë që bota ecën me shpejtësi.

Përkundrazi, interesi i shumicës është drejt Europës dhe për stabilitet. Prandaj sinjali që na jepet në këtë moment duhet të na shërbejë si pikësynim drejt së cilit të ecim.

Të nderuar z. Berisha dhe z. Rama, të dy ju jeni të zgjedhur nga ne, njerëzit, elektorati. Ne ju kemi zgjedhur që të përfaqësoni interesin tonë dhe të na mbroni.

Mos e shikoni pozicionin tuaj si pozicion personal në mbrojtje të interesit apo egos suaj, por kujtohuni për ne, që jemi arsyeja juaj e të qenit.

Për interesin tonë dhe të fëmijëve tanë, ju bëj një kërkesë të hapur, t‘i lini konfliktet dhe jo t‘i përforconi, të hapni rrugë dhe të gjeni një marrëveshje.

Nuk mund ta mbani vendin peng të egoizmit dhe krenarisë tuaj, tregohuni të përulur dhe respektoni të drejtat tona.

Gazeta Shqip, 1 dhjetor 2009

No comments:

Post a Comment