Wednesday 17 February 2010

Si mund të dalim nga injorimi i ligjit?

Pasi lexova një shkrim si zakonisht shumë të goditur të z. Fatos Lubonja (Nga shkelësit për shkelësit, 29 janar 2010) fillimisht u nisa të vendos një koment në faqen e tij të internetit. Por pak nga pak, nga dëshira për të shprehur një mendim të strukturuar dhe jo në formë anonime, komenti u bë artikull.

Tre ishin pikat fillestare të mendimit që shkrimi dhe komentet e lexuesve më frymëzuan: 1. respekti i ligjeve nuk bëhet me forcë; 2. ne ndodhemi në situatën ku ndodhemi si rezultat i një evolucioni kompleks fazash historike dhe shoqërore që duhen zbërthyer; 3. zgjidhja është po ashtu komplekse por ajo duket.

Ajo që më pëlqeu në shkrimin e z. Lubonja ishte pikënisja nga një shembull aktual, si pirja e cigares në lokale ndërkohë që ligji e ndalon, për të trajtuar problemin e rëndësishëm të raportit të shqiptarëve me ligjin.

Diskutimi i raportit të shqiptarëve dhe jo i shoqërisë shqiptare me ligjin më pëlqeu gjithashtu, sepse përdor fjalët dhe prizmin e duhur. Kjo pasi termi shoqëri nënkupton funksionimin e ligjit që garanton bashkëjetesën paqësore të një grupi njerëzish dhe mbrojtjen e tyre nga strukturat që ata krijojnë.



Çfarë thotë mendimi

Ka disa teori mbi mënyrën se si krijohen rregullat dhe shoqëritë nga filozofët e “kontratës sociale” (më të njohurit John Locke, Thomas Hobbes, Jean Jacques Rousseau) që e kanë diskutuar çështjen në shekullin e 17 dhe të 18, edhe pse fillimet e diskutimit i gjejmë që në antikitet.

Me gjithë ndryshimet midis tyre mbi rolin që secili i jep shtetit (Locke e lidh me mbrojtjen e pronës private, Hobbes me sigurinë dhe Rousseau me idenë e barazisë) të tre filozofët kanë si premisë fillestare ekzistencën e një kontrate që njerëzit lidhin midis tyre dhe me shtetin që ata krijojnë që në këmbim iu garanton një jetë të sigurt, me mundësi zhvillimi materiale dhe mendimi.

Teoria e Locke, për shembull, thotë që njerëzit fillimisht bëjnë një kontratë horizontale me njëri-tjetrin, që i shndërron në një grup të organizuar dhe pastaj një kontratë vertikale me shtetin.

Edhe te Hobbes njerëzit vendosin të lidhin një kontratë për të dalë nga “gjendja e natyrës” që është një gjendje e vazhdueshme lufte. Ata reduktojnë liritë natyrale dhe ia japin ato shtetit ose sovranit që ai e quan Leviathan sipas një figure mitike, një monstër deti që ngjall frikë dhe bindje absolute. Në sistemin e Hobbes, pushteti është absolut, pasi kështu ai garanton funksionimin efektiv të shtetit. Për këtë aspekt, mendimi i tij është kritikuar edhe pse pranohet që duke i dhënë të drejtën e vetëmbrojtjes individëve kundër pushtetit absolut nëse jeta e tyre është në rrezik, ai e vë në pikëpyetje pushtetin absolut.

Rousseau thotë se kontrata sociale e shkëput njeriun nga interesi personal dhe e bën atë të veprojë në emër të interesit të përgjithshëm. Ai nuk ia jep të drejtën e mbrojtjes shtetit ose sovranit, por vetë njerëzve.



Pse ne sillemi si sillemi me ligjin

Shoqëria shqiptare për arsye komplekse historike dhe zhvillimi nuk ka pasur një moment specifik, ku ka kuptuar dhe vendosur që është më mirë të jetosh me ligje se sa pa ligje. Më shumë se sa një kontratë sociale, ajo që ka ndodhur ka një qenë një lëvizje spontane, e lindur si reagim ndaj ngjarjeve të jashtme.

Për të parë raportet e shqiptarëve si një grup i organizuar me ligjin, nuk duhet të shkojmë shumë larg, pasi format e para të organizimit si një shoqëri filluan të shfaqen vetëm në shekullin e 20. Ato përkojnë me formimin e identitetit kombëtar në vitet e rënies së perandorisë turke.

Pakti social mund të lindë midis individësh të lirë, të bashkuar dhe të ndërgjegjshëm (në gjendje të përdorin arsyen) për krijimin e një sistemi të organizuar shoqëror.

Në këtë kuptim, periudha pas pushtimit turk paraqiste një mundësi për shoqërinë shqiptare, për të lidhur një pakt social, pasi dy nga kushtet, bashkimi dhe liria, kishin filluar të formoheshin.

Ndërkohë në periudhat e mëparshme të pushtimit turk si dhe të perandorive Romake dhe Bizantine, as nuk mund të flasim për mundësinë e paktit social, pasi popullsitë ishin të ndara dhe të pushtuara.

E vetmja referencë përpara shekullit të 20 për sa i përket ekzistencës së një bashkësie rregullash të krijuara nga popullsitë shqiptare është Kanuni, që përdorej si sistem ligjesh për vetadministrimin e fiseve malësore. Me gjithë rëndësinë e tij historike, Kanuni nuk shërbeu si një sistem i përkohshëm, nga i cili më pas në kushte më të përshtatshme, të kalohej në stadin e paktit social.

Për më tepër, përdorimi i Kanunit ka krijuar dy vështirësi nga pikëpamja e trashëgimisë. E para është çështja e vrasjes dhe dënimi i saj përmes marrjes së gjakut. Siguria e jetës është problemi më i rëndësishëm i çdo kontrate sociale, ku dënimi i vrasësit bëhet nga ligji dhe jo nga individët.

E dyta është operimi i tij si një sistem ligjesh paralel me sistemin e përgjithshëm që krijoi një traditë sfiduese, edhe kur sistemi mbizotërues nuk ishte më i pushtuesit.

Pakti social në dekadat e para të shekullit të 20 nuk u shfaq. Trashëgimia historike e përçarjeve, ushtritë e huaja dhe niveli i ndërgjegjësimit shumë i ulët, ishin më të forta se sa uniteti dhe liria. Prapambetja e trashëguar shoqërore dhe ekonomike i mbante peng përpjekjet. Megjithëse kishte individë të edukuar e përparimtarë, ata nuk përbënin elita me fuqi ekonomike dhe sociale, që të bëheshin nismëtaret e paktit social.

Luftërat Botërore të shekullit të 20 dhe ardhja në fuqi e elementëve komunistë e larguan dhe për një shekull tjetër mundësinë e formimit të kontratës sociale.

Regjimi komunist krijoi një shtet të fortë me ligje të rrepta, por krejtësisht të padrejta, pasi përligjnin shtypjen e shumicës nga një pakicë.

Në periudhën pas-komuniste, situata u komplikua edhe më shumë, për shkak të rrëzimit të trupit të ligjeve komuniste.

Vazhdojmë të jemi në kushtet e bashkimit kombëtar dhe të lirisë, por niveli i ndërgjegjësimit për nevojën e një kontrate midis qytetarëve dhe shtetit vazhdon të jetë i ulët. Për më tepër, mosrespektimi i ligjit njeh një formë të re, atë të trafiqeve ilegale.

Në vitet 1990-2000 u shfaqën premisat për zhvillimin e trafiqeve ilegale në bashkëpunim me strukturat drejtuese. Aktivitetet ilegale për arsye ekonomike, politike dhe gjeografike gjetën terren të përshtatshëm dhe u zhvilluan. Në fazën e rritjes, ato u rrënjosën duke përdorur aktivitetet legale si mbulesë, në sistemin ekonomik dhe politik deri në ditët e sotme.

Ky vështrim i përmbledhur historik zbulon mbivendosjen e sjelljeve të ndryshme ndaj ligjit, që shfaqet sot si një sanduiç praktikash që anojnë më shumë në anën e mosrespektimit të ligjit se sa në favor të tij.

Për të parë pak më qartë sjelljen ndaj ligjit duhet të dallojmë nivelin mikro, të individëve në jetën e përditshme dhe nivelin makro të drejtuesve të zgjedhur si mbrojtësit e ligjit.

Në nivelin mikro, dualiteti midis ligjit (ndalimi i duhanit) dhe praktikës (pirja e duhanit kundër ligjit) i ka rrënjët jo vetëm te periudha turke dhe dualiteti midis rregullave lokale dhe ligjit zyrtar, por dhe te sistemi komunist. Duke qenë antihuman, ai zhvilloi "traditën" e praktikave antiligjore të njerëzve, si përpjekje legjitime për të mbijetuar (si vjedhja, spiunimi, korrupsioni).

Në nivelin makro, ndodhi legjitimimi i praktikave antiligjore nga vetë mbrojtësit e ligjit dhe inkurajimi i tyre te bashkëpunëtorët. Kjo praktikë i ka sidomos rrënjët në sistemin komunist që i bëri "të zakonshme" praktikat e vrasjes dhe eliminimit nga ana e klasës drejtuese për pushtet dhe privilegje.

Pas komunizmit, sanduiçit historik iu shtua edhe forma e moszbatimit të ligjit për interesa ekonomike, në lidhje me aktivitetet ilegale nga segmente të shtetit dhe e përfshirjes së vetëdijshme në to të individëve.

Ligji bashkëjeton rëndom me të kundërtën e tij edhe në shoqëri më të konsoliduara, por ndryshimi me shoqërinë tonë qëndron në raportin e forcave midis atyre që e respektojnë dhe atyre që nuk e respektojnë atë.

Nga kjo pikëpamje, shoqëria jonë mund të ndahet në tre grupe. Ata që nuk e respektojnë ligjin, pasi nuk ia njohin të mirat dhe nuk e vlerësojnë. Ata që nuk e respektojnë me qëllim, për shkak të interesave personale. Dhe ata që përpiqen ta respektojnë, por njëkohësisht e injorojnë mosrespektimin nga dy grupet e para dhe kështu bien në mosrespektimin e ligjit në mënyrë pasive.

Njerëzit si z. Lubonja që ishin jashtë kafes për të pirë cigare bëjnë pjesë në grupin e tretë që fatkeqësisht janë një pakicë, ashtu siç e tregon fakti që shumica janë zakonisht brenda lokaleve duke pirë cigare. E marrë si e tërë, shoqëria vazhdon të ketë një nivel shumë të ulët ndërgjegjësimi dhe dinamike, në favor të respektimit të ligjit që vazhdon ta mbajë atë larg mundësisë së kontratës sociale.



Si mund të dalim nga injorimi i ligjit?

Zgjidhja e problemit pse shqiptarët nuk e respektojnë ligjin më duket se qëndron në duart e pakicës që ia kupton rëndësinë. Ajo është e vetmja forcë që ka interes që ligji të zbatohet. Ata që nuk duan t’ia dinë për ligjin e kanë pranuar këtë sistem. Ata që nuk e respektojnë për qëllime ekonomike nuk kanë interes ta zbatojnë atë.

Nëse pakica e ndërgjegjshme nuk bën asgjë, asgjë nuk do të ndryshojë. Ajo do vazhdojë të vuajë, të japë para nëpër spitale, për diploma, për leje ndërtimi dhe të pijë cigare vetëm në të ftohtë, ashtu si thotë dhe z. Lubonja.

Ndaj këtij problemi, zgjidhja që propozon z. Lubonja në formën e “rezistencës së përditshme ndaj dhunës strukturore të sistemit” është një fillim i mirë. Z. Lubonja përmend revoltën dhe “masa të revoltuarish që imponojnë pastaj ndryshimin”, por nuk i shkon deri në fund mendimit se si mund të arrihet t’i shndërrosh ata që sot e injorojnë ligjin në “të revoltuar në emër të së drejtës”.

Pjesa tjetër e alternativës ka dy aspekte. Njëri është organizimi i pakicës dhe kundërvënia e saj ndaj gjendjes aktuale. Aspekti tjetër është i lidhur me punën e pakicës për të ndërgjegjësuar shumicën. Duke përjashtuar elementët kriminalë, mund të punohet me qytetarët që nuk janë "të ndërgjegjshëm" për të mirat e ligjit.

Përmes kombinimit të këtyre dy komponentëve mund të arrihet të paktën në një barazim të forcave.

Respekti i ligjit nuk do vijë vetvetiu nga qytetarët si një kontratë sociale e lidhur midis tyre dhe shtetit, por sërish si një detyrim i përcaktuar nga jashtë. Në ditët e sotme, detyrimi do vijë nga Bashkimi Europian, duke e bërë raportin e shqiptarëve me ligjin përsëri një reagim ndaj një sistemi të jashtëm dhe jo ndërgjegjësim të brendshëm organik, gjë që do të vazhdojë të krijojë probleme dhe në të ardhmen.

Gazeta Shqip, 16 shkurt 2010.

No comments:

Post a Comment