Saturday 18 September 2010

Na duhen ca të rritur

Na duhen ca të rritur për të drejtuar vendin. Na duhen ca të rritur për të marrë përsipër përgjegjësinë e roleve drejtuese, si kryetar i shtetit, drejtues i qeverisë, i parlamentit, i opozitës, i gjykatave, i policisë, i ministrive, i bashkive dhe komunave, i gazetave dhe televizioneve. Na duhen ca të rritur që të drejtojnë të vegjël e të rritur. Ajo që kemi deri tani janë një grup të rinjsh, që ose e kanë lënë shkollën përgjysëm ose e kanë mbaruar por i kanë harruar ato që kanë mësuar.

Duket se ata që na drejtojnë sot kanë harruar disa fakte elementare si për shembull: ata punojnë për të mirën tonë dhe kjo përfaqëson jo vetëm elektoratin e tyre por dhe elektoratin e kundërshtarëve të tyre. Ata mund të kenë harruar që njerëzit duan zhvillim, duan të ecin përpara dhe jo të rrinë në vend ose të kthehen mbrapa. Ata kanë harruar se kur piqen bashkë dy faktorë, kriza politike me krizën ekonomike situata duhet parë kujdes dhe profesionalizëm. Pikërisht pasi piqen ato dy faktorë shumë të rëndësishëm nuk i duhet hedhur benzinë zjarrit por duhen sheshuar mosmarrëveshjet dhe duhet punuar me qetësi për të evituar më të keqen.

Drejtuesit tanë nuk kanë kohë për të parë realitetin me syrin e qytetarit të thjeshtë. Ata nuk e shikojnë se distanca midis tyre dhe njerëzve është shumë e madhe dhe se ata i ngjajnë balonave fluturuese.

Pasi janë të zënë dhe të rrethuar nga bindjet e tyre, si dhe nga mbështetës të flaktë që tundin kokën ndaj çdo mendimi të drejtë ose të gabuar drejtuesit tanë nuk shohin dhe nuk e perceptojnë se çfarë mendojnë njerëzit për ta.

Njërëzit janë të lodhur me ta, të neveritur dhe të zhgënjyer. Si me njërën palë ashtu dhe me tjetrën. Njerëzit janë të konsumuar dhe pranë shpërbërjes mendore prej sjelljeve të tyre fëminore. Njerëzit nuk e kuptojnë dot se si ka mundësi që drejtuesit tanë të jenë kaq të paaftë, kaq kokëfortë, kaq të shkëputur sa të mos e shikojnë që po na mbajnë peng. Po na mbajnë peng në shumë drejtime. Ndërkohë që vende të tjera përparojnë dhe marrin vendime po aq të rëndësishme me konsensus dhe duke vënë të parin interesin kombëtar.

Në ditët e fundit të zgjedhjeve parlamentare britanike interesi kombëtar u bë togfjalëshi më i lakuar por dhe kushti përcaktues i vendimeve politike. Për interesin kombëtar Gordon Brown njohu humbjen dhe dha dorëheqjen. Për interesin kombëtar David Cameron ftoi në një koalicion të hapur dhe të plotë Nick Clegg. Për interesin kombëtar Nick Clegg pranoi edhe pse diferencat midis partisë së tij liberal-demokrate dhe partisë konservatore të David Cameron janë të mëdha. Por përderisa elektorati foli dhe tha që asnjë prej kandidatëve nuk e meriton besimin për të qeverisur i vetëm, drejtuesit politikë për hir të interesit kombëtar e pranuan dhe gjetën zgjidhje.

Interesi kombëtar në vendin tonë mund të tingëllojë si fjala më boshe pasi është gjëja më e neglizhuar dhe më e nëpërkëmbur gjatë gjithë historisë tonë. Por me fjalë të thjeshta interesi kombëtar është ajo që është më e mirë për vendin tënd, ajo që të bën krenar.

Por le të kthehemi në një realiteti tjetër, te drejtuesit tanë. Ata jo vetëm që nuk e mendojnë dhe as e përmendin interesin kombëtar por duke e injoruar atë ata na injorojnë ne haptazi. Duke na injoruar drejtuesit tanë nuk na trajtojnë si qytetarë por si kavie eksperimentesh. Ata duan të eksperimentojnë me ne gjëra ekstreme, sa na mban durimi, kush është nga ata më kokëfortë se tjetri, kush është më i zoti për të paralizuar vendin, kush mund të mbledhë më shumë njerëz në protesta për demonstrim forcash, kush mund të provokojë më shumë trazira, kush është më i flaktë në mbrojtjen e të drejtave tona - të shkelura që në fillim - në mënyrë të gënjeshtërt.

Drejtuesit tanë ngaqë janë shumë të shkëputur nuk e shikojnë se në fakt ne i kuptojmë të gjitha manovrat e tyre. Ata mundohen ta fshehin etjen për pushtet dhe i vënë lloj lloj emrash frymëzues, si mbrojtja e votës së lirë apo mbrojtja e lirisë. Por ne mund ta dallojmë që pas këtyre slloganesh fshihet e vërteta, dëshira e pakufishme e drejtuesve tanë për të qenë mbartësit direkt të pushtetit.

Drejtuesit tanë nuk janë të llojit të llojit që bën kompromisë dhe pranon të lëshojë diçka në emër të harmonisë dhe bashkëjetesës paqësore. Ata e duan çdo gjë për veten e tyre dhe për klikën që i ka mbështetur.

Harmonia dhe respektimi i kundërshtarit janë dy parime që drejtuesit tanë nuk i njohin ndoshta prej moshës së re ndoshta pasi nuk e kanë pasur pjesë të edukatës. Prindërit - « baballarët politikë » - nuk i kanë edukuar mirë, nuk i kanë transmetuar parimet themelore të edukatës shoqërore: respektoji të gjithë dhe kërko harmoninë.

Meqë jemi në këtë pikë, ku prej një viti parlamenti nuk funksionon pasi deputetët e opozitës nuk i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve, ku qeveria që ka përgjegjësinë më të madhe pasi është përfaqësuesja zyrtare e interesave të të gjithëve bën veshin e shurdhër dhe vazhdon të veprojë sikur çdo gjë është normale, kur ndërkohë nuk është, unë si njeri i thjeshtë mendoj se na duhen ca të rritur.

Na duhen ca të rritur që ta ndalojnë këtë lojë të shumtuar dhe fallco – pa ndihmën dhe “bërjen për një lek nga ndërkombëtarët” - se gjasme po na mbrojnë ne dhe votën tonë dhe lirinë tonë dhe interesat tona. Ndërkohë në fakt ata po kacafyten si gjela për fitore duke na zhvendosur ne edhe më në cep të arenës shoqërore - edhe pse ne duhet të jemi në qendër të saj.

Na duhen ca të rritur që të analizojnë me qetësi gjendjen ekonomike, pasojat e krizës financiare ndërkombëtare, pakësimin e dërgesave të emigrantëve, izolimin e ekonomisë tonë që importon më shumë se sa eksporton, produktivitetin e ulët, performancën e dobët të sistemit arsimor që nuk prodhon burimet njerëzore që do ta zhvillonin vendin, mungesën e tregut të pasurive të paluajshtme që shërbejnë si rrënjët e domosdoshme të një sistemi ekonomik modern.

Vetëm disa të rritur do e kuptonin menjëherë absurdin e sjelljes së tyre, të situatës ku kemi arritur dhe rrezikun se kjo situatë mund të dalë jashtë kontrollit. Vetëm disa të rritur do e shikonin qartë që po na dëmtojnë ne dhe të ardhmen tonë.

Në vend që të gjithë si shoqëri të hedhim hapa drejt së ardhmes, drejtuesit kryeneçë e egoistë na mbajnë në vend dhe shpikin lloj lloj stilesh për ta përforcuar mbetjen në vend.

E gjitha kjo sepse kur ka krizë, trazira, rrëmuja, viktima, është më e lehtë për të akuzuar dhe për të gjetur fajtorë. Kriza është një nga mënyrat e përdorura në vendet ish-diktatoriale për të ndarë pushtetin. Të gjithë ata që ose e prodhojnë krizën ose e mbështesin atë ose nuk bëjnë asgjë për ta (para)ndaluar janë njëlloj fajtorë të përdorimit të metodave të errëta dhe jo demokratike për ndarjen e pushtetit.

Me siguri po të kishim disa të rritur për drejtues nuk do të kishim arritur në këtë pikë. Situata do të ishte zgjidhur më herët dhe nuk kishim pse të trajtoheshim sërish si një nga ato vendet ku ndarja e pushtetit bëhet përmes krizës dhe jo përmes votës.

Laura Shimili botuar Gazeta Shqip, 21 maj 2010