Monday 8 November 2010

Të jetosh midis skenave

Kjo ngjarje mund të ndodhë kudo, në çdo qytet të infektuar nga ethet e ndërtimit të pakontrolluar, ku hapësirat publike dhe pemët zhduken për t’i lënë vendin ndërtesave shumëkatëshe. Në çdo qytet që ka pësuar transformim dhe ka marrë tipare të reja të mbivendosura si një implant jo i suksesshëm. Në çdo qytet ku ka shumë anomali, përzierje të varfërisë ekstreme me pasurinë e dyshimtë dhe mungesë rrjetesh sociale mbështetëse. 


Por ka shumë të ngjarë që një ngjarje e tillë të ndodhë në vende ish-komuniste ku sëmundjen e kolektivizimit e ka zëvendësuar virusi i individualizmit dhe i gllabërimit të hapësirave publike për qëllime personale. Mirëqënien sociale për të gjithë nuk e ka arritur dot asnjë sistem. Sistemet komuniste u munduan dhe në fund arritën në një formacion kancerozokriminal ku individët/klanet drejtuese i bashkonte shtypja e të tjerëve. Po dhe sistemet liberale fshehin shumë nën sipërfaqen e jashtme të ndriçuar. Tepritë e pushtetit, pushteti i parasë, të pastrehët e të papunët janë të vërteta të pranishme që të vrasin sytë. Kudo po të jesh i vogël, i veçuar dhe pa të ardhura je në skaj. Por historia e Dinos dhe Betit nuk mund të ndodhë në një qytet të një sistemi liberal ndoshta për faktin se mirëqënia e akumuluar dhe humanizmi shoqëror i kanë ruajtuar dhe shtuar hapësirat publike. Dino dhe Beti do ta gjenin një stol në një park ku të uleshin e të merrnin pak frymë përpara se të vazhdonin rendjen e tyre nëpër qytet. 


Dino jeton në qytetin T, një qytet ku njerëzit jetojnë midis skenave. Për të shkuar në skenë atyre i’u duhet të dalin në rrugë me këmbë ose me makinë ndonjëherë dhe me autobuz. Preferenca është për shëtitjen me makinë, që të ruan nga pluhuri, nga shiu ose dielli dhe nga njerëzit që mbajnë erë. Mjeti më pak i preferuar është autobuzi, ku shanset janë të larta që të shikosh ndonjë ushtar në ereksion t’i ngjitet mbrapa ndonjë vajze ose ndonjë hajdut xhepash në veprim. Ka dhe propozime të hapura për kafe por që nënkuptojnë atë gjënë tjetër me pagesë. Dino duke mos pasur makinë dhe meqënëse jeton afër qendrës ecën gjithmonë në këmbë. E njëjta situatë përsëritet kur njerëzit kthehen nga skena në shtëpi. Shumë të tillë pasi kalojnë disa orë në skenë i hipin makinave ose taksive dhe kthehen në kutitë e tyre të rehatshme. Njerëzit mundohen ta reduktojnë kontaktin me realitetin sa më shumë. Edhe kur ecin në këmbë ata janë si robotë, shohin vetëm drejt dhe ecin me shpejtësi. Brenda shtëpive që janë një lloj skene në vetvete të gjithë ndjehen të sigurt, të qetë dhe pa ngacmime. Shtëpitë në përgjithësi i kanë të rregulluara me shije, të pastra dhe të rehatshme. Ditët kur jetonin dy-tre familje në një shtëpi kanë shkuar. Tani jeton çdo familje më vete dhe jeta është bërë më private. Ajo që i bën shtëpitë si skena është trajtimi i tyre si kuti të veçuara nga bota ku rëndësi ka vetëm mirëqënia dhe qetësia e të zotëve të shtëpisë. Shtëpitë nuk shihen si kuti të ndërlidhura me njëra-tjetrën në një rrjet më të gjerë që është pallati ose rruga por si bunkere të izoluara ku rregulli i brendshëm dominon mbi atë të jashtmin. Si pasojë pallatin, rrugët, ato që janë të përbashkëta njerëzit i shikojnë si territor i askujt. Për ato pjesë duhet të kujdesen autoritetet të cilave njerëzit i‘a bëjnë jetën të vështirë duke mos bërë pjesën që i‘u takon. Elementi që i bën shtëpitë edhe më shumë të ngjashme me skenat është kutia televizive. Programet kryesisht të huaja, krijojnë përshtypjen te njerëzit se ajo që shikojnë është pjesë e asaj që jetojnë. Kur ndërkohë realiteti në T është shumë i ndryshëm nga realiteti i filmave amerikanë, emisioneve dëfryese italiane, programeve muzikore vendase dhe të huaja, apo edicioneve të lajmeve ku ai nuk gjen asnjë reflektim. Nga aktorët vendas më të transmetuar janë politikanët, që flasin përpara “kutive regjistruese”, me fjalë të përgatitura ose me një qëllim të caktuar. Më pas vijnë analistët që komentojnë mbi politikanët sërish nëpër studio ose përpara kamerave, të përgatitur. Njerëzit në T e kanë pasion muzikën dhe kalojnë shumë kohë duke shijuar video e regjistrime këngësh të një stili surrogat orientaloballkanik ku shfaqen vajza bukuroshe, që qajnë vuajtjet e dashurisë. Sporti është pjesë e programeve televizive dhe merr rëndësi shumë të madhe gjatë kampionateve botërore, europiane dhe ligave të ndryshme. Interesi është në përgjithësi për skuadra të huaja dhe lojtarë vendas që luajnë në skuadra të huaja. Ka një mbulim sipërfaqësor të problemeve sociale, si dhuna, vrasjet, vetëvrasjet, kriminaliteti por kur emisionet fokusohen në këto probleme njerëzit e humbasin durimin dhe e fikin TV. Bëhen gati për të dalë mbasdite për t’u takuar me miq e për të kaluar disa orë të këndshme në ndonjë nga lokalet e preferuara. Edhe shtëpia e Dinos është e rehatshme, edhe pse e vogël. Ka një dhomë e një kuzhinë ku Dino jeton me gruan dhe djalin. Kanë ndërruar shtëpi disa herë por kjo e tanishmja i‘u pëlqen më shumë ngaqë është afër qendrës, afër tregut e dyqaneve. “Jo jemi mirë keq të qahemi, thotë Dino shpesh”. Dino është natyrë e butë, i kënaqur me jetën dhe njeri që s’i bie kujt në qafë. Megjithëse shpeshherë kanë vështirësi ekonomike nuk i bien në sy as miqve as kushërinjve. Jetojnë me pensione dhe me rrogën e djalit që punon si elektriçist. Ai nuk merr shumë, se është punëtor i thjeshtë. Djali i Dinos seç ka, nuk dihet, është tip i mbyllur, nuk shoqërohet, dhe vazhdon të jetojë me prindërit edhe në moshën 40-vjeçare. Kur e pyesin si e ke djalin Dino thotë “Lëre aman, ç’e pyet” dhe me aq e mbyll atë temë. Megjithatë për atë që kanë Dino dhe Beti janë të kënaqur se i‘u del për të ngrënë, për të blerë ndonjë veshje e për të dalë ndonjëherë në të rrallë. 


E dala është një nga aktivitetet e preferuara të njerëzve në T. E dala nëpër lokale është një art të cilin disa e zotërojnë shumë mirë dhe e shesin si shërbim e të tjerë e shijojnë si konsumatorë. Ky lloj arti ecën mirë pasi njerëzit në T janë siç i thonë qeflinj, iu pëlqejnë shëtitjet, konsumi e në përgjithësi shërbimi. Janë të prirur për një stil jete hedonist ku mund të rrinë me orë të tëra duke biseduar për këtë e për atë. Edhe pse jo të gjithë janë shumë të pasur nuk shqetësohen shumë pasi në nevojat imediate kanë ushqimin, veshjet, shtëpitë dhe qejfet. Ah dhe makinat të domosdoshme për të bërë qejfin ashtu siç duhet! Në artin e qejfit njerëzit në T kanë përparuar kaq shumë sa kanë krijuar vende të mrekullueshme, të rregulluar paq, me gjelbërim e pastërti ku njeriu ndjehet mirë. Në vende të tilla që ngjajnë me skena çdo gjë është perfekte, krejt e kundërta e kaosit, ndotjes e rrëmujës që hasen kudo. Skenat janë të ndërfutura midis rrugëve e shesheve të ngarkuar, si oaze prehjeje. Ato janë kudo si brenda qytetit ashtu dhe jashtë nëpër rrethina. Janë të madhësive dhe niveleve të ndryshme. Disa të vogla, disa lokale lagjeje të një niveli të ulët, të tjera më të mëdha me kolltuqe, kondicioner, pllaka mermeri e të tjera me shatërvan, kopësht, pishinë, vend lodrash për fëmijë, etj etj. Lokalet skena mbulojnë çdo nevojë dhe dëshirë të qytetarëve dhe i‘u gjenden atyre në çdo rast gëzimi apo hidhërimi. Për ditëlindje fëmijësh e të rriturish, fejesa, martesa, diplomime, e raste më pak të gëzueshme si humbja e të dashurve. Hapësira brenda territorit të lokaleve është e rregulluar me kujdes, ndërsa ajo përreth është në gjendje të mjerueshme. Shpeshherë madje hapësira ngjitur me lokalin skenë përdoret si vend ku lokali hedh plehrat. Skenat e shumëllojshme krijojnë rregull artificial në mes të kaosit mbizotërues dhe i dhurojnë qytetarëve çaste qetësie. Dhe janë natyrisht me pagesë, jo pronë publike. Jeshillëku dhe pastërtia, janë cilësitë më të mira dhe të kërkuara të skenave, njerëzit i vlerësojnë. Pa dyshim, njerëzit e duan të pastrën, jeshilen dhe rregullin por nuk janë të aftë ta prodhojnë në sasi të mëdha, kudo dhe për të gjithë. Prandaj paguajnë disa të tjerë që bashkë me kafet dhe picat ju marrin para dhe për skenën. Ndërsa ata që nuk munden nuk e shijojnë skenën. Ecin në rrugë me zhurmë dhe pluhur, shikojnë mbivendosjet e shëmtuara të pallateve komuniste përkrah pallateve të reja 14-katëshe. Kalojnë nga trotuari në rrugë pasi trotuari bëhet pjesë e lokalit. I’u ruhen makinave që i marrin si shënjestër dhe i ngjajnë lojtarëve të një aventure për mbijetesë. Nuk kanë ku të ndalojnë, të marrin pak frymë ose të shijojnë pak gjelbërim. 


Është vetëm një park ku mund të shkosh pa pagesë, me stola, bar dhe pemë. Por për fat të keq edhe ai është lulishtja e një skene, nga më të mëdhajat dhe përballet çdo pasdite me turma pensionistësh e njerëzish me pak të ardhura. Këtyre i‘u shtohen një armatë njerëzish të tjerë që i shohin turmat dëfryese si parajsë për të shitur kinezërira, libra erotikë, libra me çmim të ulur ku mund të blesh veprat e Enver Hoxhës, por dhe botime me autograf, misra të pjekur e kokoshka. Njerëz si Dino dhe Beti nuk mund ta përballojnë të shkojnë shpesh nëpër lokale. Por nevojat imediate i mbulojnë dhe e konsiderojnë veten të lumtur. Në fakt ata i ndihmon dhe fakti që janë mirë me shëndet dhe nuk i‘u duhet të shpenzojnë para nëpër spitale për shërbime gjysmake ku doktori të operon aq sa ke fuqi të paguash. Nëse nuk e ka hequr të gjithë tumorin nuk prish punë se ka hequr më të madhen. “Xhaxho nëse do të jesh i shëndetshëm duhet të paguash atë që duhet, se unë ja ku i kam në rradhë presin mileti”, mund të ta presë doktori pa të keq. Por shyqyr Dinos e Betit nuk i‘u është dashur të shkojnë nëpër spitale, se as çerekun e operacionit nuk do të mund të paguanin dot e do ngeleshin me çerek veshke bie fjala. Betit i kanë rënë dhëmbët dhe dentisti, një njeri me dorë në zemër, ka pranuar t’ia heqë nga një çdo muaj, me pagesën nga pensioni. Por për t’ia vënë nuk dihet se kur pasi pensionet e të dyve nuk dalin, as pas një viti sikur t’i ruanin. E ndërkohë i‘u duhet të jetojnë e të ushqehen. Po Beti grua shpirtgjerë e kalon vështirësinë e mungesës së dhëmbëve me të qeshura e me fjalë të ëmbla. Madje shkon dhe për qoka edhe pse nuk i ka mundësitë, vetëm që mos mbetet e harruar. E shkreta Beti qesh e marroset me gjithëshpirt dhe e fsheh gojën e zhveshur me dorë ose i mban buzët e mbyllura. 


Dino del në mëngjes për pazare, blen bukë, ndonjë zarzavat, pak qumësht e djathë, në të rrallë pak mish dhe kthehet në shtëpi. Beti merret me shtëpinë, pastron, gatuan dhe pret Dinon për të bërë drekën. Djali niset në punë në mëngjes herët por dhe kthehet herët, rreth orës dy është në shtëpi. Hajnë drekë të tre bashkë e pastaj shlodhen, shikojnë televizor, lajmet, telenovelat e të tjera emisione të shumtë. Po të duash mund ta kalosh lehtësisht mbasditen përpara televizorit, nga një kanal në tjetrin, nga lajmet e njërit te tjetri. Pastaj fillojnë telenovelat, braziliane, italiane, seritë televize, dosjet e analistëve, pastaj sërish lajme, për të parë zhvillimet në dy-tre orët e fundit të mbasdites, pastaj film, një tjetër emision analistësh e kështu me rradhë. Dino e Beti e kalojnë si e kalojnë ditën, por e kanë të vështirë mbasditen, mërziten ashtu gjithë ditën përpara televizorit. Ndonjëherë dalin për një shëtitje me këmbë gjatë rrugës kryesore ku jetojnë. Ajo është një nga rrugët më të mira në T, ka trotuar të shtruar mirë, ka pemë dhe semaforë e vija të bardha dhe Dinos e Betit i’u shijon shëtitja. Ndonjëherë shkojnë deri te parku kryesor, te ai parku pa pagesë po atje është plot me njerëz e shpesh nuk gjejnë dot vend. Kështu që kthehen, blejnë ndonjë akullore rrugës me një top e ecin ngadalë për në shtëpi. Rrallë herë dalin dhe për për të pirë diçka, ulen në ndonjë nga skenat e mira brenda qytetit dhe jetojnë për pak çaste atë që i’u duket si ëndërr. Të tjerët i’u duken të bukur, të veshur mirë e të qeshur. Ata nuk i vëren njeri natyrisht. Por s’prish punë ata shijojnë gjelbërimin e skenës dhe pamjen e rregullt për syrin. Por prapë kthehen në këmbë.

Një gjë nuk kanë krijuar ende sipërmarrësit në T. Skena në rrugë ose rrugë që janë skena. Sikur të kishte skena dhe për rrugët patjetër që njerëzit do preferonin të ecnin në ato rrugë. Natyrisht ato do ishin gati dhe të paguanin për të mos parë ndotjen, varfërinë dhe kaosin. Disa njerëz natyrisht jo të gjithë. Do ishin po ata që shkojnë në lokale, komplekse e restorante. Një rrugë-skenë do ishte një rrugë model, me trotuare, pemë, lule, kosha plehrash dhe plehra në kosh; makinat do ndalonin te vijat e bardha dhe do kishin prioritet këmbësorët; do kishte stola dhe kënd lojrash për fëmijë. Dino dhe Beti do i’a lejonin ndonjëherë luksin vetes të kalonin në rrugët skena. Një herë në muaj do shkonin në skenat lokale e njëherë në muajin tjetër në skenat rrugë.


Botuar te Milosao tetor 2010